Gjykata Themelore në Gjakovë miratoi kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës dhe caktoi masën e paraburgimit në kohëzgjatje një muaj ndaj të pandehurit L.P.. Kjo masë erdhi për dyshimin se ai ka kryer veprat penale të kanosjes, mbajtjes në pronësi, kontrollit ose posedimit të paautorizuar të armëve, si dhe posedimit të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analogeve.
Sipas komunikimit zyrtar, ngjarja ndodhi më 25 janar 2026 në Gjakovë. L.P. u ndalua nga zyrtarët policorë për drejtim të rrezikshëm të automjetit. Ai refuzoi t’u jepte dokumentet, i ofendoi dhe i kanosi me jetë policët. Gjatë tentativës për arrestim, shfaqi rezistencë, nxori një armë zjarri dhe më pas një granatë dore me siguresë të hequr, duke i drejtuar në drejtim të zyrtarëve. Me këtë veprim, u shkaktua frikë dhe pasiguri serioze. I dyshuari u largua nga vendi i ngjarjes dhe u dorëzua më 23 shkurt 2026.
Gjatë bastisjes në lokalin e tij “K. K. b. & b.”, policia gjeti dhe sekuestroi pajisje për përgatitjen e narkotikëve, si dhe rreth 2 gram substancë të dyshuar për marihuanë.
Periudha e paraburgimit llogaritet nga data e arrestimit, pra nga 23 shkurt 2026 deri më 25 mars 2026
Përditësime
Gjyqtari i procedurës paraprake Driton Sadiku mbajti seancën dëgjimore në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ku vlerësoi kushtet ligjore për caktimin e një muaji paraburgim ndaj L.P.. Mbrojtja ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.