Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur të martën aktgjykim lirues për Sami Lushtakun dhe shtatë bashkë të akuzuarit e tjerë në rastin e njohur si “Drenica 1”. Të liruarit nga të gjitha pikat e aktakuzës janë Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.
Kryetari i trupit gjykues, Leon Përlaska, deklaroi se gjatë procesit gjyqësor nuk është arritur të provohet se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkoheshin. Si pasojë, trupi gjykues vendosi lirimin e tyre, ndërsa shpenzimet e procedurës penale do të mbulohen nga buxheti i Gjykatës.
Ky proces gjyqësor ishte zhvilluar për pikat 16, 17 dhe 18 të aktakuzës, pasi procedura ishte veçuar nga pjesa tjetër e rastit. Prokuroria pretendonte se, në periudhën midis qershorit 2013 dhe shtatorit 2015, ky grup kishte detyruar dy dëshmitarë të ndryshonin dëshmitë e tyre në lidhje me rastin “Drenica”, i cili trajtonte keqtrajtimin e civilëve në Likoc gjatë luftës.
Në pjesët e tjera të aktakuzës për rastin “Drenica” ishin përfshirë gjithashtu persona të tjerë, ndër të cilët: Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sahit Jashari, Mërgim Lushtaku, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Yll Blakaj, Gzim Ahmeti, Xhevdet Zena, Mervete Hasani-Lushtaku, Agim Ukaj, Ismail Dibrani, Sami Gjoka dhe Nexhib Shatri.
Përditësime
Sami Lushtaku akuzoi misionin EULEX për përndjekje disavjeçare gjatë fjalës së tij në seancë. Ai nënvizoi se procesi gjyqësor ishte nisur fillimisht nga prokurorët e këtij misioni. Ish-kryetari i Komunës së Skënderajt vlerësoi se ndjekja penale ndaj tij ishte ndikuar nga pozicioni i tij politik dhe institucional.
Gjyqtari Leon Përlaska e shpalli të pafajshëm Sami Lushtakun, duke vlerësuar se provat e prokurorisë nuk mbështetën akuzat për pengim të procedurës zyrtare dhe frikësim të dëshmitarëve në bashkëkryerje. Vendimi u bazua edhe në dëshminë e dëshmitarit të koduar 'C', i cili mohoi të jetë ndikuar nga të akuzuarit për të ndryshuar deklaratën e tij. Lushtaku nuk ishte i pranishëm në sallë gjatë shpalljes së aktgjykimit.