Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, tha më 22 tetor në emisionin “Off the Record” në A2CNN se gurët e trotuareve në bulevardin e Tiranës u hoqën për të shmangur përdorimin e tyre si armë të ftohta gjatë protestave.
Sipas Gonxhjas, protestuesit mblidhnin gurët në kova për t’i përdorur më pas si municion. Ai tha se pamjet filmike tregonin se gurët merreshin nga trotuaret, grumbulloheshin në kova dhe shpërndaheshin mes protestuesve për t’u përdorur gjatë përplasjeve. Ministri e krahasoi këtë mënyrë grumbullimi me episodin e tortës së pavarësisë.
“Natyrisht që është heqje arme, heqja e gurëve. Videot janë të qarta”, tha Gonxhja. Ai shtoi se gurët ishin të rrezikshëm si armë të ftohta dhe të lehtë për t’u lëvizur. Sipas tij, heqja e tyre synonte të pengonte përdorimin gjatë protestave. Ministri kritikoi ata që, sipas tij, shqetësoheshin për largimin e gurëve nga ekskavatorët e bashkisë, por nuk kishin folur më parë për vlerën e bulevardit historik.
Gonxhja tha se ndërtesat nuk mund të zhvendoseshin, por se gurët mund të hiqeshin aty ku ishte e mundur. Ai shtoi se trotuari ishte dëmtuar dhe do të shtrohej përsëri me mozaik, duke thënë se i garantonte qytetarët për këtë punë.