Një banesë në fshatin Shelegar të bashkisë Sarandë ka rënë pre e një vjedhjeje gjatë natës së të martës, ndërsa autorët janë filmuar duke u larguar nga vendngjarja. Ngjarja ndodhi në kohën kur kryefamiljari Mejdi Tusha dhe pjesëtarët e tjerë të familjes ndodheshin në një dasmë të një të afërmi.
Zbulimi i vjedhjes u bë nga një prej familjarëve pas kthimit në banesë, ku u konstatua se dhomat ishin kontrolluar dhe sendet ishin shpërndara. Nga banesa janë vjedhur rreth 15 milionë lekë të vjetra, të barasvlershme me 1.5 milionë lekë të reja, si dhe bizhuteri me vlerë.
Autorët e grabitjes dyshohet të jenë dy persona, të cilët kanë vëzhguar më parë lëvizjet e familjes për të shfrytëzuar mungesën e tyre. Sipas pamjeve të siguruara nga Top Channel, dy autorët janë filmuar të veshur me 'hoodie', kapele dhe maska teksa largohen nga banesa me një çantë të zezë. Me qëllim shmangien e identifikimit, ata kanë dëmtuar kamerën e sigurisë së instaluar në objekt përpara se të depërtonin brenda.
Menjëherë pas denoncimit, shërbimet e Policisë së Sarandës dhe grupi hetimor mbërritën në vendngjarje për të këqyrur skenën e krimit dhe për të mbledhur provat materiale, përfshirë pamjet filmike. Aktualisht, vijojnë veprimet hetimore për identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave në të cilat ndodhi vjedhja.
Përditësime
Pamjet e siguruara nga Top Channel identifikojnë dy autorët e maskuar duke u larguar nga banesa me një çantë të zezë pas grabitjes.