Gjatë 48 orëve të fundit, Roja bregdetare greke ka zhvilluar disa operacione shpëtimi në detin në jug të Kretës dhe ishullit të Gavdosit, duke shpëtuar pothuajse 550 emigrantë. Mes të shpëtuarve ndodhen dhjetëra të mitur, ndërsa autoritetet raportojnë për një rritje të mjeteve lundruese që nisen nga brigjet e Libisë.
Në operacionin më të gjerë, u shpëtuan 192 persona që po udhëtonin me një anije peshkimi. Sipas dëshmive të emigrantëve, ata i kishin paguar rrjetet e kontrabandës rreth 3 000 dollarë për person për të kaluar rrugën detare prej 300 kilometrash që lidh Libinë me Kretën.
Ndryshimet ligjore dhe fluksi migrator
Ministri grek i Migracionit, Thanos Plevris, deklaroi se në Libi ndodhen aktualisht më shumë se gjysmë milioni njerëz që synojnë të udhëtojnë drejt Evropës. Në këtë kontekst, Parlamenti grek ka ratifikuar rregullat e reja të Bashkimit Evropian për migracionin dhe azilin, të cilat pritet të hyjnë në fuqi të premten.
Legjislacioni i ri përfshin masa për krijimin e qendrave të pritjes në shtete që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian. Aktualisht, autoritetet në Athinë kanë nisur bisedime me dy shtete afrikane për të zbatuar këto rregulla, në përpjekje për të përballuar fluksin në rritje të emigrantëve nga Afrka Veriore.