Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka deklaruar se ndërlidhja e votimit të presidentit me mbështetjen për ligjin mbi zhbërjen e Gjykatës Speciale përbën një veprim politik të pandershëm. Në një intervistë për emisionin “Tempus” në T7, Gruda ka shprehur shpresën se një kushtëzim i tillë nuk do të ndodhë, ndonëse ka theksuar se partia e tij mbetet e angazhuar për të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Duke adresuar qëndrimet e partive të tjera, Gruda u ndal te Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), duke vlerësuar se shqetësimet për vrasjet politike të pasluftës, për të cilat flasin përfaqësuesit e kësaj partie, nuk janë pjesë e aktakuzave apo e vendimeve gjyqësore kundër ish-krerëve të UÇK-së.
Ndërkaq, sa i përket Lëvizjes Vetëvendosje (VV), deputeti i PDK-së ka ftuar subjektin qeverisës që të reflektojë qëndrimin e tyre të mëparshëm kundër themelimit të Gjykatës Speciale përmes një vote konkrete në seancën e parlamentit. “Nëse VV-ja krenohet sot se nuk e ka votuar Gjykatën Speciale, është koha për ta bërë testin. Sa të sinqertë kanë qenë atëherë, matet me votën sot këtu”, u shpreh Gruda.