Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike zhvilloi të martën, më 25 shkurt 2026, një takim në Kryesinë e Kuvendit me përfaqësues nga 28 parti simotra të Partisë Popullore Evropiane (PPE), përfshirë eurodeputetë. Takimi u zhvillua në kuadër të një misioni faktmbledhës për të vlerësuar standardet e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit të vitit të kaluar.
Kreu i grupit, Gazment Bardhi, dha detaje në një postim në rrjetet sociale. Ai theksoi se diskutimet ishin të hapura dhe serioze, ku u trajtuan çështje si zgjedhjet, deformimi i demokracisë, kapja e institucioneve, pengimi i drejtësisë dhe rreziku i një shteti të dominuar nga interesa kriminale.
Sipas Bardhit, ky mision nuk është një vizitë protokollare, por një sinjal se zhvillimet në Shqipëri janë në fokusin europian. Ai përmendi se rezolutat e PPE-së po konkretizohen përmes verifikimit në terren dhe dëgjimit të fakteve. Në fund, Bardhi falënderoi PPE-në për mbështetjen.
Postimi i plotë i Gazment Bardhit:
"Shqipëria në vëmendjen e EPP
Sot, së bashku me kolegët e Kryesisë së Grupit Parlamentar, u takuam në Kryesinë e Kuvendit me përfaqësues nga 28 parti simotra të Partisë Popullore Europiane, përfshirë eurodeputetë.
Në një diskutim të hapur dhe serioz, trajtuam çështjet që shqetësojnë çdo qytetar: zgjedhjet, deformimin e demokracisë, kapjen e institucioneve, pengimin e drejtësisë dhe rrezikun e një shteti të dominuar nga interesa të kriminale.
Ky mision faktmbledhës nuk është thjesht një vizitë protokollare. Është një sinjal se zhvillimet në Shqipëri janë tashmë në fokusin europian. Rezolutat e PPE-së po konkretizohen me verifikim në terren dhe me dëgjimin e fakteve.
Faleminderit EPP për mbështetjen."