Komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s për Evropë, gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, tha në një intervistë për revistën gjermane Der Spiegel, të publikuar të premten, se kapacitetet ushtarake të Aleancës janë dukshëm më të mëdha se ato të Rusisë. Sipas tij, forcat që NATO-ja do të angazhonte në një konflikt të madh do ta tejkalonin ndjeshëm fuqinë ushtarake të Moskës. Ai vuri në dukje se Rusia nuk ka avionë luftarakë modernë F-35 dhe as numrin e madh të shkatërruesve e nëndetëseve moderne që zotëron NATO-ja.
Grynkewich tha se ishte i bindur që Rusia nuk do të ndërmerrte një sulm konvencional në shkallë të gjerë ndaj Evropës. Sipas tij, presidenti rus Vladimir Putin po përdor metoda të tjera, si sabotazhi, dhe nuk dëshiron një konflikt të drejtpërdrejtë. Gjenerali ia atribuoi këtë parandalimit konvencional dhe tha se NATO-ja duhet ta ruajë këtë kapacitet përmes modernizimit të forcave të armatosura, stërvitjeve të gjera ushtarake dhe demonstrimit të aftësive të saj.
I pyetur nëse veprimet ruse mund të quhen luftë në hije, Grynkewich tha se termi “sulme hibride” është tepër i paqartë. Ai kërkoi që veprime si sabotazhi, zjarrvënia dhe sulmet terroriste të emërtohen drejtpërdrejt, duke i cilësuar këto terma si të saktë dhe të lidhur me përgjigje të qarta. Për mundësinë që Evropa të jetë tashmë në luftë me Rusinë, ai tha se Putini po përpiqet t’i bindë qytetarët se mbështetja për Ukrainën mund të çojë në luftë me Rusinë. Sipas gjeneralit, kjo strategji nuk ka funksionuar deri tani.
Kaliningradi dhe aeroporti i Lajpcigut
Duke iu përgjigjur kërcënimeve nga Moska se izolimi ose sulmi ndaj enklavës ruse të Kaliningradit do të shkaktonte luftë, Grynkewich tha se NATO-ja është aleancë mbrojtëse dhe do të vepronte vetëm nëse sulmohej. Ai shtoi se Rusia nuk ka arsye të shqetësohet për enklavën. Sipas vlerësimit të tij, lufta në Ukrainë e ka dobësuar praninë ushtarake ruse në Kaliningrad, ndërsa NATO-ja është forcuar në rajonin e vendeve baltike. Stërvitjet në krahun lindor, tha ai, janë rutinë dhe Aleanca tregohet e kujdesshme për të shmangur veprime që mund të interpretohen si agresion.
Grynkewich foli edhe për tentativën e dështuar në gusht ndaj aeroportit të Lajpcigut, për të cilën qeveria gjermane mban përgjegjëse Rusinë. Ai tha se edhe vetë tentativa përbënte shkelje të rëndë. Sipas tij, nëse sulmi do të kishte pasur sukses, disa avionë transporti të tipit Antonov, të mbushur me karburant, do të ishin shkatërruar dhe me gjasë do të kishte pasur viktima. Hetuesit gjermanë thanë se objektiv ishin avionët ukrainas të transportit të mallrave.
Duke iu referuar rëndësisë së dronëve në luftërat në Ukrainë dhe Iran, gjenerali tha se NATO-ja duhet t’i përmirësojë shpejt kapacitetet në këtë fushë. Ai tha se Aleancës i nevojiten sasi të mëdha dronësh sulmues njëpërdorimësh dhe raketa lundruese më të lira.