Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në një postim në X më 14 prill, theksoi se nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin aktual në Lindjën e Mesme. Ai bëri thirrje për vazhdimin e diplomacisë dhe një zgjidhje të negociuar si rrugën e vetme të qëndrueshme.
Guterres u shpreh se "pas javësh shkatërrimi dhe dhimbjeje, është e qartë se nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin aktual në Lindjën e Mesme" dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të ndjekin dialogun. Ai nënvizoi gjithashtu se "liria e lundrimit duhet të respektohet", duke theksuar zbatimin e ligjit ndërkombëtar në rrugët ujore kryesore, si Ngushtica e Hormuzit.
Komentet e tij vijnë në vijim të dështimit të bisedimeve të fundit për paqe midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Për pasojë, SHBA-ja nisi më 13 prill zbatimin e një bllokade detare ndaj anijeve që hyjnë në portet dhe zonat bregdetare të Iranit. Ky veprim shihet si përpjekja e fundit e presidentit amerikan Donald Trump për ta detyruar Iranin të bëjë lëshime.
Uashingtoni ka forca të konsiderueshme detare dhe ajrore në rajon, të cilat pritet ta zbatojnë bllokadën. Megjithatë, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit posedon njësitë e veta detare, të përbëra nga anije të vogla sulmuese, që mund të paraqesin kërcënim për forcat amerikane.
Menjëherë pasi bllokada hyri në fuqi, Trump shkroi në mediat sociale: "Nëse ndonjë nga këto anije i afrohet BLLOKADËS sonë, ato do të ELIMINOHEN menjëherë".