Pas shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ndërmori një sërë takimesh me liderët e partive të tjera parlamentare. Takimet, të cilat u zhvilluan me kërkesën e Hamzës, kishin për qëllim diskutimin mbi seriozitetin e situatës së krijuar, sfidat me të cilat përballet vendi dhe mundësitë për koordinim politik.
Në takimin me kryeministrin Albin Kurti, fokusi ishte te rrugët që duhet ndjekur për korrigjimin e vendimit të Gjykatës Speciale, të cilin të dyja palët e kanë vlerësuar si të padrejtë dhe me pasoja të mëdha. Në një komunikatë zyrtare të zyrës së kryeministrit, u theksua domosdoshmëria e angazhimit për një komunikim të rregullt dhe të drejtpërdrejtë mes palëve për çështjet me interes shtetëror.
Krahas kryeministrit Kurti, Bedri Hamza u takua ndaras edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun, si dhe me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjinin. Në këto takime, liderët diskutuan për nevojën e bashkëpunimit mes forcave politike në këtë periudhë të ndjeshme për shtetin e Kosovës. Këto zhvillime pasojnë vendimin e shkallës së parë të Gjykatës Speciale, me të cilin Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.