Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, deklaroi se skuadra e tij nuk paraqiti në nivelin e duhur në barazimin 1-1 ndaj Newcastle United, në ndeshjen e parë të fazës 1/8 finale të Ligës së Kampionëve, të luajtur në St James’ Park.
Barcelona mbeti në disavantazh 1-0, por arriti të barazojë falë golit të Lamine Yamal në momentet e fundit, me goditje nga pika e penalistit. Newcastle dominoi pjesën më të madhe të takimit, ndërsa katalanasit u dukën të lodhur drejt fundit.
Flick pranoi se ekipi humbi shpesh posedimin e topit dhe ia la iniciativën kundërshtarit. “Nuk luajtëm mirë me topin; e humbëm shumë shpesh posedimin dhe kjo është pikërisht ajo që dëshiron Newcastle United. Nuk ishte e lehtë, por jam shumë i kënaqur me mbrojtjen; dy qendërmbrojtësit bënë një punë fantastike”, u shpreh trajneri gjerman.
Ai theksoi se skuadra kishte zhvilluar shumë ndeshje së fundmi dhe lojtarë si Marc Bernal e Pedri po riktheheshin pas dëmtimeve. “Kemi pasur shumë ndeshje së fundmi dhe lojtarë të lënduar. Duhet të përmirësohemi, kjo është e qartë, por gjëja pozitive është rezultati”, tha ai.
Trajneri premtoi një paraqitje ndryshe në ndeshjen e kthimit në Spotify Camp Nou. “Do të shihni një ndeshje tjetër në Spotify Camp Nou. Nëse do të më kishin thënë më parë se ndeshja do të përfundonte 1-1, do të isha i kënaqur.”
Ndeshja e radhës për Barcelonën do të jetë në kampionatin spanjoll, kundër Sevillës, në Spotify Camp Nou.