Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përsëritur qëndrimin e tij se Hashim Thaçi duhet të rikthehet në postin e presidentit të vendit. Gjatë pjesëmarrjes së tij në emisionin "Rubikon" në Klan Kosova, Haradinaj deklaroi se kthimi i Thaçit në këtë detyrë, qoftë edhe për një ditë, do të ishte një gjest që do të dëshmonte vetëdije të lartë kombëtare.
Sipas Haradinajt, Kosova e ka për borxh një veprim të tillë, duke qenë se Thaçi u detyrua ta linte pozitën e kreut të shtetit për shkak të procedurave të Gjykata Speciale në Hagë. Ai theksoi se, pavarësisht dallimeve politike që ka pasur në të kaluarën me Thaçin, kthimi i tij në institucion do të përbënte një akt në përputhje me interesin kombëtar.
Në deklaratat e tij, Haradinaj shprehu gjithashtu bindjen se ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, do të lirohen nga të gjitha akuzat dhe do të shpallen të pafajshëm nga drejtësia ndërkombëtare. Ai shtoi se beson që një numër i konsiderueshëm i deputetëve në Kuvendin e Kosovës do ta mbështesnin një propozim të tillë për rikthimin e Thaçit në detyrën e mëparshme.