Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka përkujtuar veprimtarët e shquar të çështjes kombëtare, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, në 44-vjetorin e rënies së tyre.
Ceremonia përkujtimore u zhvillua në Dubovik të Deçanit, ku Haradinaj, së bashku me bashkëpunëtorë dhe qytetarë, bëri homazhe në nderim të sakrificës dhe heroizmit të tyre.
Ai i cilësoi Gërvallët dhe Kadri Zekën si figura të hershme dhe të rëndësishme të lëvizjes për liri dhe pavarësi. Guximi dhe angazhimi i tyre në lëvizjet çlirimtare shërbyen si burim frymëzimi për brezat pasues dhe për vazhdimin e rrugës drejt lirisë.
Sipas Haradinajt, kjo rrugë u kurorëzua me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila solli lirinë dhe themelet e shtetësisë së Kosovës.
Në përfundim të homazheve, ai deklaroi: “Lavdi të rënëve për liri në të gjitha etapat e historisë sonë të lavdishme”.