Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deklaratën e përbashkët lidhur me aktgjykimin e fundit të Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Dokumenti u finalizua pas takimeve intensive ndërmjet përfaqësuesve të subjekteve politike parlamentare, të cilët kanë harmonizuar qëndrimet e tyre për të artikuluar një përgjigje zyrtare institucionale.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i cili kishte njoftuar më herët për procesin e hartimit të draftit, vlerësoi se ky akt përbën një instrument të rëndësishëm politik. Ai theksoi se deklarata, e cila nuk ka efekte juridike, shërben si një mesazh uniteti që obligon institucionet e shtetit të angazhohen për zbardhjen e së vërtetës dhe kundërshtimin e narrativave që bien ndesh me interesat e Kosovës.
Deklarata e miratuar përbëhet nga shtatë pika, përmes të cilave Kuvendi i Kosovës shpreh qëndrimin e prerë se është i papranueshëm përfundimi i nxjerrë nga gjykata për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal në radhët e UÇK-së. Përmes këtij dokumenti, ligjvënësit u kanë bërë thirrje të gjitha institucioneve shtetërore të ndërmarrin hapa konkretë për hartimin e një strategjie të përbashkët, e cila synon mbrojtjen e vërtetës historike mbi luftën çlirimtare dhe vlerat e saj.
Përditësime
Kuvendi i Kosovës miratoi me 99 vota deklaratën e përbashkët që kundërshton konstatimin e Gjykatës Speciale për ndërmarrje të përbashkët kriminale të UÇK-së.