Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar si një zhvillim negativ mosveprimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) në lidhje me statusin e gjyqtarëve serbë. Gjatë një prononcimi për mediat, pas një takimi me përfaqësues të partive politike, Haxhiu deklaroi se KGjK nuk ka treguar të njëjtën përgjegjësi ligjore sikurse Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i cili ka marrë vendime për institucionet në varësi të tij.
Sipas Haxhiut, çështja lidhet me dorëheqjet e gjyqtarëve serbë të ndodhura katër vite më parë. Ajo njoftoi se i ka dërguar një shkresë zyrtare kryesuesit të KGjK-së, Rrustem Thaqi, për ta informuar atë mbi një raport që ka të bëjë me integritetin e ish-gjyqtarëve serbë. Megjithatë, ajo pohoi se deri në këtë moment nuk ka marrë një përgjigje nga Thaqi, pavarësisht thirrjes së saj për një takim ku do të diskutoheshin hapat e mëtejshëm.
"Lajm shumë i keq që atë ditë KGjK-ja nuk veproi njëjtë sikur KPK dhe në linjë me përgjegjësitë ligjore. I kam dërguar shkresë kryesuesit të KGjK-së dhe e kam njoftuar për raportin që unë kam në raport me integritetin e gjyqtarëve serbë. S'më është përgjigjur ende në atë letër, e kam njoftuar për disa çështje, por i kam thënë se ju pres në takim për të diskutuar më tutje", deklaroi Haxhiu.
Ajo u ka bërë thirrje anëtarëve të KGjK-së që të veprojnë me përgjegjësi dhe të mos bien nën ndikime, duke kërkuar që vendimi të merret sa më shpejt. Në mbledhjen e kaluar të këshillit, anëtarët nuk arritën të dakordoheshin për këtë pikë, duke kërkuar sqarime shtesë.