Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur lidhur me mundësinë e mbështetjes së kandidaturës së Bekim Sejdiut për postin e Presidentit, nëse arrihet një marrëveshje me partitë e tjera politike, përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Haziri ka theksuar se çështja nuk është emri i kandidatit, të cilin e vlerësoi si person me kredibilitet, por arritja e një dakordësie që do të siguronte unitetin në votim dhe do të shërbente për unitetin e popullit në të ardhmen.
Në lidhje me qëndrimin e grupit parlamentar, Haziri ka bërë thirrje që të mos ndahen deputetët e LDK-së, duke sqaruar se partia përfaqësohet nga 18 deputetë. Ai pranoi se ka pasur një rast të veçantë me dallime, por theksoi se kjo ishte vetëm një episod.
“Mos na ndani, ne jemi 18. Ne e kemi një dallim, një rast, po LDK-ja e ka një vlerë të demokracisë, ne bashkohemi në dallimet tona”, deklaroi Haziri. Ai shtoi se këto mospajtime të kaluara nuk përbëjnë një qëndrim të ndarë brenda grupit parlamentar dhe se LDK-ja mbetet e angazhuar në procesin e zgjedhjes së Presidentit.