Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka njoftuar se po zhvillon hetime intensive në bashkëpunim me Policinë e Kosovës lidhur me rastet e dyshuara për krime lufte në komunën e Zubin Potokut. Pas identifikimit të mbetjeve mortore në fshatin Jabukë dhe vazhdimit të gërmimeve në fshatin Kalludër e Vogël, autoritetet kanë shtrirë veprimet hetimore edhe në një lokacion të tretë.
Sipas njoftimit zyrtar, prokurorja përgjegjëse, së bashku me hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe ekspertët forenzikë, po mbikëqyrin drejtpërdrejt veprimet në terren. Mbetjet e gjetura në Jabukë do t'i nënshtrohen proceseve të nevojshme mjeko-ligjore dhe analizave të ADN-së për të mundësuar identifikimin e viktimave.
Lidhur me këtë rast, deri më tani janë arrestuar tre persona, të cilët ndodhen nën masën e paraburgimit nën dyshimin për kryerjen e veprës penale "Krime lufte kundër popullsisë civile". Sipas të dhënave, të arrestuarit janë Jugoslav Radojević, Momir Jakšić dhe Miljko Biševac.
Prokuroria Speciale ka theksuar se për shkak të fazës së ndjeshme të procesit hetimor, nuk mund të publikojë detaje të mëtejshme në këtë moment, duke shtuar se informacione shtesë do të bëhen të ditura kur të jetë e mundur, pa cenuar integritetin e hetimeve.
Përditësime
Hetimet për gjetjen e mbetjeve mortore në Zubin Potok janë intensifikuar, ndërsa dyshohet se ato u përkasin 23 intelektualëve të zhdukur para 27 vitesh. Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, konfirmoi se institucionet janë duke operuar në këtë zonë prej vitit 2021. Identifikimi i lokacionit është rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të Policisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë.
Hetuesit përfunduan gërmimet në fshatin Jabukë mbrëmjen e së hënës, ku u gjetën katër mbetje mortore dhe një batanije. Provat janë dërguar për analiza mjekoligjore dhe ADN. Ndërkohë, në Kalludër të Vogël, kërkimet vijojnë për të tetën ditë radhazi. Lidhur me hetimet për krime lufte, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës konfirmoi arrestimin e tre personave, duke qartësuar bilancin pas konfuzioneve fillestare rreth numrit të të dyshuarve.