Prokuroria e Milanos po zhvillon hetim mbi arbitrat e futbollit italian, bazuar në dëshmitë e 29 arbitrave dhe ish-arbitrave të Serie A dhe Serie B, të marrë në pyetje gjatë muajve të fundit. Sipas gazetës La Repubblica, hetimi nxjerr në pah sistemin Rocchi, ku ish-designatori i arbitrave Gianluca Rocchi kishte kontakte telefonike me drejtuesit e skuadrave, të ndaluara nga rregullorja, për të fituar favore personale.
Në qendër të hetimit janë 5 ndeshje, me fokus të veçantë te sfida Inter-Roma e 27 prillit 2025. Në këtë ndeshje, pas një kontakti mes lojtarëve Ndicka dhe Bisseck, një anëtar i sallës VAR sinjalizoi faull në favor të Interit, por mori përgjigjen “Shih punët e tua…”, sipas dëshmisë, bazuar në udhëzimet e supervizorit Andrea Gervasoni. Audioja e sallës VAR nuk është bërë publike.
Ish-asistenti arbitrar Domenico Rocca, në denoncimin e tij, krahasoi këtë rast me ndeshjen Udinese-Parma, ku Rocchi ndërhyri fizikisht në sallën VAR për të tërhequr vëmendjen e Paternàs (VAR) dhe Sozza (AVAR). Ai vlerëson se mosakordimi i penalltisë te Inter-Roma mund të ketë ndikuar në garën për titull mes Interit dhe Napoli.
Në ndeshjen Inter-Roma vepronin arbitri kryesor Michael Fabbri, VAR Marco Di Bello dhe AVAR Marco Piccini.