Një 47-vjeçar ka humbur jetën në qytetin e Pejës, pasi u gjet në gjendje të rëndë shëndetësore në bodrumin e një objekti banesor. Ngjarja është raportuar në Policinë e Kosovës të shtunën, rreth orës 20:30, nga një qytetar i cili kishte vënë re viktimën të shtrirë në tokë. Ekipet e Urgjencës kanë ndërhyrë menjëherë në vendin e ngjarjes, saktësisht në objektin përballë Fakultetit Juridik në rrugën “UÇK”, dhe e kanë transportuar personin drejt Spitalit të Përgjithshëm të Pejës. Pavarësisht përpjekjeve mjekësore, vdekja e viktimës, e identifikuar si Fejgim Zeli, është konstatuar në orën 21:20.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka konfirmuar se njësitet policore, krimteknika dhe hetuesit rajonalë kanë kryer veprimet procedurale në vendngjarje. Identifikimi i të ndjerit është bërë përmes një letërnjoftimi të gjetur nga policia gjatë këqyrjes. Rasti është iniciuar nga Prokuroria e Shtetit si “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.