Avdullah Hoti, anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), deklaroi në emisionin Pressing të televizionit T7 se zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit ishin goditje për LDK-në.
Hoti pranoi se mbështetja për LDK-në nga diaspora është dukshëm më e vogël se ajo e subjektit fitues, Lëvizja Vetëvendosje. Ai theksoi se diaspora nuk e ka shkaktuar këtë rezultat dhe refuzoi idenë e taktizimit me datën e zgjedhjeve për të penguar votimin e bashkatdhetarëve.
"Këta që janë në diasporë janë qytetarë të Kosovës. Ata kanë të drejtë vote dhe nuk është e udhës që partitë politike të taktizojnë për një datë të zgjedhjeve", u shpreh Hoti në intervistë me gazetarin Leonard Kërquki.
Ai u bëri thirrje anëtarëve të LDK-së të t’i kthehen vetes për të rritur mbështetjen e vërtetë tek diaspora dhe qytetarët vendas. "Ne edhe nëpër komuna në Kosovë nuk kemi pasur rezultat të mirë. Ne duhet ta pyesim veten pse nuk arrijmë të rrisim besimin tek qytetarët", shtoi ai.
Hoti nënvizoi nevojën për të parë nga e ardhmja dhe për të reflektuar mbi performancën e partisë në zgjedhjet e fundit, transmetojnë mediat Epoka e Re, Bota Sot dhe Ekonomia Online.