Në fshatin Verboc të Drenasit po zhvillohen hulumtime të rëndësishme arkeologjike që mund të hedhin dritë mbi aktivitetin njerëzor gjatë periudhës së Paleolitit në territorin e Kosovës. Projekti po realizohet në bashkëpunim ndërmjet Institutit Arkeologjik të Kosovës dhe Universitetit të Tübingenit në Gjermani.
Ekipi hulumtues përbëhet nga ekspertë të fushës, përfshirë profesorin Harald Floss nga Universiteti i Tübingenit, arkeologun Luan Gashi nga Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe arkeologun nga Drenasi, Sami Haziraj. Puna në terren ka nisur që në vitin 2021 dhe vazhdon të sjellë të dhëna për trashëgiminë e lashtë të zonës.
Sipas studiuesve, gjetjet e identifikuara deri më tani mund të datojnë nga 25 mijë deri në 70 mijë vjet më parë. Megjithatë, këto janë vlerësime fillestare dhe mosha e saktë, si dhe rëndësia e tyre, do të konfirmohen përfundimisht pas analizave të mëtejshme shkencore.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i shoqëruar nga nënkryetari Arben Shala, vizitoi lokalitetin për t'u njohur nga afër me ecurinë e punimeve. Lladrovci theksoi rëndësinë e këtij zbulimi për historinë e Drenasit dhe të vendit, duke u shprehur se komuna do të mbështesë vazhdimisht punën institucionale për dokumentimin dhe ruajtjen e kësaj pasurie kulturore e shkencore.