Studiuesit e Human Rights Watch kanë verifikuar dhe gjeolokalizuar tetë imazhe që tregojnë shpërthime të municioneve me fosfor të bardhë mbi zona të banuara në qytetin jugor libanez Yohmor, në ditët e para të ofensivës izraelite gjatë luftës në Gaza. Kjo konfirmohet nga forma karakteristike e reve të lëna nga predhat e artilerisë 155 mm të serisë M825.
Që nga atëherë janë publikuar video të tjera që pretendojnë të tregojnë shpërthime të ngjashme në jug të Libanit. Me rreth 800 mijë libanezë të zhvendosur nga rajoni pas urdhrit të forcave izraelite për t’u larguar, studiuesit vlerësojnë se shumë raste mund të kenë mbetur të padokumentuara.
Ahmad Beydoun, arkitekt dhe studiues doktorature në Universitetin Teknik të Delftit në Holandë, ka dokumentuar dhe hartëzuar rreth 250 raste të përdorimit të fosforit të bardhë nga forcat izraelite midis tetorit 2023 dhe nëntorit 2024. Sipas tij:
- 39% në zona të banuara;
- 17% në toka bujqësore;
- 44% në zona pyjore ose të hapura.
Fosfori i bardhë është një substancë kimike që shpërndahet me predha artilerie, bomba dhe raketa. Ai ndizet në kontakt me oksigjenin, arrin temperatura deri në 800°C dhe lëshon tym të dendur. Forcat ushtarike e përdorin për perde tymi, shënjestër objektivash ose ndriçim natën, dhe juristët ushtarakë e quajnë këtë përdorim ligjshëm. Megjithatë, aplikimi mbi zona civile është i debatueshëm, pasi shkakton zjarre, djegie të rënda dhe gazra toksikë, duke ringjallur akuzat për shkelje të ligjit të luftës.
Gjatë javës së fundit, forcat izraelite përballen me rezistencë nga luftëtarët e Hezbollahut në jug të Libanit. Ato kanë bombarduar rrugë, stacione karburanti, ura dhe qendra mjekësore për të izoluar rajonin nga pjesa tjetër e vendit.