Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Ministrisë së Arsimit për përcaktimin e shumave të subvencionimit për blerjen e teksteve shkollore për nxënësit e klasave 1-9. Në një postim publik, ajo ka vënë në dyshim përkushtimin financiar të ekzekutivit për arsimin, duke e krahasuar atë me shpenzimet që pushteti mund të bëjë për qëllime elektorale.
Bajrami thekson se qeveria nuk ka ndarë mjete të mjaftueshme për familjet që duhet të sigurojnë librat për fëmijët e tyre. Ajo ironizoi duke deklaruar se, ndonëse për libra nuk ka fonde, nëse vendi shkon drejt zgjedhjeve, nga 100 euro për votë i keni të sigurta.
Deputetja e LDK-së u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos mjaftohen vetëm me ankesa. Ajo ka theksuar se qytetarët kanë një armë shumë të fortë në dorë, që është vota, dhe u ka kërkuar atyre që ta përdorin atë për të reflektuar ndaj situatës aktuale.