Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, mori pjesë në Forumin me shoqatat e biznesit, sipërmarrës dhe ekspertë të prokurimeve, kushtuar nxitjes së pjesëmarrjes së bizneseve në procedurat e prokurimit të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP).
Ajo theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit midis qeverisë dhe sipërmarrjes për të rritur konkurrencën, transparencën dhe efikasitetin në përdorimin e fondeve publike. Ministrja nënvizoi hapat e rëndësishëm të Shqipërisë në digjitalizimin e proceseve të prokurimit publik, që garantojnë më shumë transparencë, gjurmueshmëri dhe standardizim të procedurave.
Rezultatet tregojnë rritje të numrit të proceseve të menaxhuara nga OBP dhe njëkohësisht ulje të numrit të ankesave, si rezultat i metodologjisë së unifikuar dhe standardizimit të dokumentacionit dhe procedurave. “Pjesëmarrja sa më e gjerë e bizneseve në prokurimin publik sjell konkurrencë më të fortë, produkte dhe shërbime më cilësore, si dhe kosto më të ulëta për qytetarët”, deklaroi Ibrahimaj.
Pas ndryshimeve ligjore të miratuara së fundmi, Operatorit të Blerjeve të Përqendruara do t’i shtohet përgjegjësia për zhvillimin e procedurave të prokurimit në fushën e teknologjisë së informacionit. Kjo zgjeron aktivitetin e programit të blerjeve të përqendruara dhe garanton procese më standardizuara dhe efikase në këtë sektor strategjik.
Një zhvillim tjetër i rëndësishëm është ndërtimi i një sistemi të ri prokurimesh në bashkëpunim me Bankën Botërore, që përfshin përdorimin e inteligjencës artificiale në të gjithë ciklin e prokurimit. “Besoj se Shqipëria do të jetë vendi i parë që do të përdorë inteligjencën artificiale në të gjitha proceset e prokurimit. Ka vende të cilat e përdorin për një pjesë të procesit, por jo në të gjithë procesin”, u shpreh ministrja. Sipas saj, sistemi do të rrisë transparencën, do të shkurtojë afatet procedurale dhe do të thjeshtojë procedurat.
Përditësime
Arlinda Pogaj, administratore e OBP-së, prezantoi rolin e institucionit në standardizimin e rregullave për SME-të, dialogun me biznesin dhe forcimin e konkurrencës, duke theksuar rregullat e qarta si kyçe për zhvillim. Ibrahimaj deklaroi bashkëpunim për sistem transparent, zhvillim ekonomik dhe përgatitje të bizneseve për tregun europian. Forumi u zhvillua në Tiranë me panel mbi sfidat dhe mundësitë për bizneset.