Gjatë protestës së zhvilluar më 5 tetor në Prishtinë, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, u bë objekt i një sulmi fizik. Pamjet e siguruara nga burime të hapura tregojnë deputetin duke u tërhequr zvarrë dhe duke u hedhur mbi rrethojat brenda oborrit të institucionit të Kuvendit.
Pas analizimit të video-incizimeve, hetuesit policorë identifikuan Fadil Zogajn si një prej personave të dyshuar për këtë rast. I dyshuari u lokalizua rreth orës 19:30 në sheshin “Nëna Terezë” dhe u shoqërua për në ambientet e njësisë hetimore kompetente. Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj Fadil Zogajt është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Rasti po hetohet për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, sipas nenit 402 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kaltrina Shala, konfirmoi se prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit. Autoritetet janë duke zhvilluar veprime intensive për të identifikuar personat e tjerë që dyshohet se morën pjesë në këtë ngjarje.