Ilir Alimehmeti, ish-kandidat për deputet i Partisë Demokratike dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të saj, deklaroi më 12 shkurt 2026 në studion e News24 se Kuvendi duhet të heqë imunitetin parlamentar të zv/kryeministres së pezulluar Belinda Balluku, e akuzuar për korrupsion.
Sipas Alimehmetit, mazhoranca po e mbron Ballukun, çka ka shtuar protestat popullore të opozitës për rrëzimin e qeverisë dhe garantimin e zgjedhjeve të lira. Ai përmendi shembjen e rrugëve dhe tuneleve të reja, që rrezikojnë jetën e qytetarëve, por theksoi se as këto nuk mjaftojnë për të bindur mazhorancën.
"Mazhoranca po mbron zv/kryeministren e akuzuar për korrupsion. Do flasim për ato rrugët dhe tunelet që u rrëzuan. Si ka mundësi kjo. Ndaj hapi i parë është kjo, që është imuniteti i ministres", u shpreh ai.
Alimehmeti nënvizoi se protestat opozitare do të jenë të vazhdueshme dhe opozita është më e bashkuar pas hapit të parë të dialogut në Forumin Politik, me bashkim edhe të partive të tjera.
"Protestat e opozitës do jenë të vazhdueshme. Kërkesat janë të qarta: një dorëheqje e qeverisë, krijimi i një qeverie teknike që të çojë në zgjedhje të lira e të ndershme", deklaroi ai.
Ai vuri në dukje se abuzimet dhe aferat e qeverisë nuk mund të mbrohen më, duke përmendur skandalin në AKSHI, që cenon sigurinë kombëtare. "Nuk mund të mbrohen më aferat e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut. Shiko se çfarë ndodh te AKSHI, kemi dorëzuar sigurinë kombëtare. Ndaj edhe mes nesh duhet dialog dhe unifikim", shtoi Alimehmeti.