Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u paraqit ditën e premte, më 11 shtator 2026, për seancën e radhës lidhur me dosjen e koncesionit të Sterilizimit. Kjo është paraqitja e parë e Beqajt në gjykatë pas ndryshimit të masës së sigurisë në arrest në shtëpi në fund të korrikut të vitit 2026, pas një periudhe prej rreth 25 muajsh në paraburgim.
Seanca e planifikuar për ditën e sotme nuk u zhvillua. Shkak për dështimin e gjykimit është bërë bojkoti i avokatëve, si dhe mungesa e gjyqtares Rudina Palloj. Gjatë mbërritjes dhe largimit, ish-ministri u shoqërua nga një punonjës policie për shkak të masës së arrestit shtëpiak. Jashtë godinës, ai u përball me thirrje nga protestues të pranishëm.
Ilir Beqaj po hetohet për akuzat e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën dhe pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal. Ndërkohë, tetë të pandehur të tjerë në këtë çështje, mes të cilëve ish-zv/ministri Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, janë gjykuar në një proces të ndarë me procedurën e gjykimit të shkurtuar, ku akuza për grup të strukturuar kriminal u rrëzua nga gjykata.
Ish-ministri përballet gjithashtu me hetime të tjera në dosjen SASPAC, ku akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh.
Përditësime
Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj u paraqit këtë të premte në seancën gjyqësore pa përfaqësim ligjor. Ai deklaroi para togave të zeza mungesën e një avokati mbrojtës, duke detyruar gjykatën të ndërpresë procesin. Seanca e radhës mbetet për t'u caktuar në një datë të mëvonshme.