Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ilir Ferati, ka deklaruar se të gjitha përgatitjet teknike për mbajtjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë kanë përfunduar. Ky Kuvend është thirrur në një afat rekord prej 15 ditësh nga kërkesa e delegatëve, duke respektuar normat statutore që parashohin një afat deri në 60 ditë.
Sipas Feratit, Kuvendi është thirrur me një pikë të vetme të rendit të ditës, e cila lidhet me mocionin për shkarkim të kërkuar nga delegatët iniciues. Ai theksoi se LDK mbetet një institucion që kultivon debatin demokratik, prandaj pjesëmarrësit do të kenë mundësi të zhvillojnë diskutime të hapura përpara se të hidhet vota.
“LDK-ja është shtëpi e debatit demokratik dhe politik. Kuvendi është mekanizëm për zgjidhjen e mendimeve të ndryshme, të cilat ballafaqohen përmes argumentit dhe debatit, për t'u konstatuar në fund përmes shumicës demokratike”, u shpreh Ferati.
Ai e vlerësoi votën e fshehtë si ushtrimin më të mirë të së drejtës demokratike, duke shtuar se kjo formë është kultivuar nga partia në kuvendet e kaluara sa herë ka pasur qëndrime të ndryshme. Në lidhje me pritshmëritë për rezultatin e votimit, Ferati u tregua i rezervuar, duke theksuar se duhet pritur zhvillimi i punimeve që fillojnë pasditen e së enjtes.
Kuvendi pritet të nisë punimet në orën 18:00, ku delegatët do të kenë mundësinë të shprehin vullnetin e tyre përmes votimit të fshehtë në kuti, duke i dhënë epilog kërkesës së delegatëve iniciues që e kanë plotësuar kushtin statutar për thirrjen e këtij kuvendi.