Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka zhvilluar një deklaratë për mediat nga terminali i ri i autobusëve në Sarandë, ku ka ngritur shqetësime mbi funksionalitetin dhe dokumentacionin e këtij objekti. Sipas saj, terminali është vënë në përdorim pa u pajisur me certifikatë kolaudimi dhe certifikatë sigurie, duke vënë në pikëpyetje edhe transparencën mbi lejen e ndërtimit dhe parametrat teknikë të tij.
Zhupa vuri në dukje se planifikimi i terminalit përbën një projektim të gabuar, pasi autobusët që nisen drejt Tiranës apo destinacioneve të tjera nuk mund të dalin drejtpërdrejt në rrugën kryesore. Kjo bën që mjetet të detyrohen të kryejnë një rrugë shtesë prej rreth 1.5 kilometrash deri tek rrethrrotullimi për të ndjekur drejtimin e duhur.
Sipas deputetes, ky investim nuk ka sjellë zgjidhjen e premtuar për qytetin lidhur me trafikun dhe parkimet. Ajo argumentoi se autobusët vazhdojnë të futen brenda qytetit, ndërkohë që qytetarët nuk e shfrytëzojnë terminalin për parkim, pasi ai ndodhet larg qendrës dhe mungojnë linjat e rregullta të transportit urban që do të lidhnin këtë zonë me pjesën tjetër të Sarandës. Në përfundim, Zhupa e cilësoi projektin si një "investim fasadë" dhe akuzoi Bashkinë e Sarandës për keqpërdorim të fondeve publike, duke theksuar se kjo vepër nuk u shërben interesave të qytetarëve.