Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në portin e Cattolica-s në Itali, ku një shtetas shqiptar 45-vjeçar dyshohet se ka tentuar të vrasë veten dhe bashkëshorten pas një debati të dhunshëm. Burri ka drejtuar automjetin e tij, model Volkswagen Golf, me shpejtësi drejt ujit të portit, duke përfunduar në det.
Në momentin e përplasjes së automjetit me ujin, dyert janë hapur duke u mundësuar të dy personave të dalin nga kabina përpara fundosjes së plotë të mjetit. Kalimtarët që ndodheshin në zonë kanë ndërhyrë menjëherë, duke ndihmuar çiftin të dalë në breg. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Karabinierëve, shërbimi mjekësor 118, zjarrfikësit dhe personeli i Kapitanerisë së Portit.
Gruaja, një 40-vjeçare me shtetësi italiane, është transportuar në spital në gjendje shoku, por nuk është në rrezik për jetën. Ndërkohë, 45-vjeçari, sapo ka marrë ndihmën e parë mjekësore, është arratisur duke u larguar në këmbë përmes shkëmbinjve. Autoritetet italiane janë vënë në kërkim të tij në të gjithë territorin.
Sipas informacioneve të bëra të ditura, shtetasi shqiptar rezulton i njohur për forcat e rendit. Vetëm një ditë përpara këtij incidenti, ai ishte arrestuar nga karabinierët pas një tjetër konflikti me bashkëshorten, ku ishte akuzuar për rezistencë ndaj autoriteteve. Aktualisht, operacionet e emergjencës po vijojnë për nxjerrjen e automjetit nga ujërat e portit.
Përditësime
Autoritetet italiane e kanë kualifikuar ngjarjen e datës 19 gusht si tentativë vrasjeje. Policia identifikoi autorin si Ismail Picari, 46 vjeç, i cili u arrestua pas arratisjes. Sipas dëshmisë së bashkëshortes, Picari e kapi atë nga qafa pasi e shtyu makinën në ujërat e portit të Cattolica-s. Viktima shpëtoi pasi arriti të dilte nga automjeti duke hapur bagazhin, duke qenë se nuk dinte not.
Policia italiane arrestoi Ismail Picari-n në një zonë të pyllëzuar pas arratisjes nga vendngjarja. Hetimet zbuluan se autori e kishte ftuar bashkëshorten me pretekstin e një pazari apo ndarjes së llogarive bankare, përpara se të godiste shtyllën dhe të përfundonte makinën në det në një thellësi prej 3 metrash. Viktima arriti të shpëtonte duke dalë nga automjeti përmes xhamit të pasmë. Dëshmitë e vajzës së çiftit konfirmuan se dhuna ndaj nënës ishte e vazhdueshme gjatë javëve të fundit. Për sa i përket incidentit të një dite më parë, Karabinierët konfirmuan se ai përfshiu dëmtimin e automjetit të policisë dhe plagosjen e lehtë të dy efektivëve.