Gjatë vitit 2025, industria shqiptare regjistroi një ndryshim të strukturës së saj, ku aktivitetet përpunuese dhe ato të ndërtimit morën peshë më të madhe në raport me sektorët tradicionalë nxjerrës. Sipas të dhënave nga Anketa e Produkteve Industriale (PRODCOM) të INSTAT, industria ushqimore zë aktualisht pjesën më të madhe të vlerës totale të shitjeve me 16.4%, pasuar nga prodhimi i produkteve minerare jo metalike me 14.4% dhe metalurgjia me 8.4%.
Në sektorin e materialeve të ndërtimit, prodhimi i çimentos Portland arriti në 1.99 milionë tonë, një rritje prej 2.5% krahasuar me vitin 2024. Prodhimi i betonit të gatshëm u rrit me 3.5%, duke arritur në 1.77 milionë tonë, ndërsa llaçi i prodhuar në fabrikë regjistroi rritjen më të lartë të vlerës së shitjeve, me 19.5%. Sektori automobilistik gjithashtu shfaqi ecuri pozitive, me rritje prej 8.7% në prodhimin e sistemeve të fijeve elektrike të izoluara, të cilat arritën në 263 milionë copë.
Industria ushqimore vijoi zgjerimin me rritje të prodhimit të bukës së freskët me 8.4%, duke arritur në 67.2 mijë tonë, ndërsa prodhimi i sallameve dhe produkteve të ngjashme me mish arriti në 13.3 mijë tonë. Prodhimi i ujit mineral dhe të gazuar u shtua gjithashtu, duke arritur në 5.09 milionë hektolitra.
Në kontrast, sektori i industrisë nxjerrëse përballet me sfida të konsiderueshme. Nafta bruto regjistroi një rënie prej 24.3% të vlerës së shitjeve, duke zbritur në 22.6 miliardë lekë, ndërsa prodhimi i saj ra në 634.3 mijë tonë. Po ashtu, xeherorët dhe koncentratet e kromit shënuan një rënie të vlerës së shitjeve me 23.9%, duke arritur në 11.35 miliardë lekë, me një volum prodhimi që zbriti në 502.8 mijë tonë, nga 588 mijë tonë që ishte regjistruar në vitin 2024.
Përditësime
Prodhimi i naftës ra në 634.3 mijë tonë, ndërsa sektori i kromit u tkurr në 502.8 mijë tonë gjatë vitit 2025.