Gjiganti teknologjik Meta ka prezantuar zyrtarisht ndryshimin e logos me tekst të platformës Instagram, duke shënuar kështu përditësimin e parë të identitetit vizual të saj në një periudhë prej 10 vitesh. Njoftimi është bërë nga drejtori i Instagram-it, Adam Mosseri, i cili nëpërmjet një postimi shpjegoi se qëllimi i këtij ridizajnimi është krijimi i një pamjeje më të pastër dhe më moderne, duke ruajtur thjeshtësinë dhe elementet që e kanë bërë platformën të njohur.
Sipas dizajnit të ri, logoja përfshin kthesa më të theksuara në shkronjat si “s”, “r” dhe “g”. Ndërkohë, ikonat e tjera të aplikacionit, si simboli i kamerës me ngjyrën gradient, mbeten të pandryshuara. Ndryshimi është zbatuar për ndërfaqen e Instagram-it dhe në platformën Threads.
Reagimet e përdoruesve kanë qenë të ndryshme. Një pjesë e komentuesve kanë shprehur vërejtje mbi legjibilitetin e fontit të ri, duke ironizuar se shkronja “r” krijon konfuzion vizual, duke e bërë emrin të lexohet si “Instagzam”, “Instagwam” ose “Instaguam”. Përveç komenteve mbi dizajnin, disa përdorues e kanë shfrytëzuar këtë rast për të kërkuar zgjidhje për problematika të tjera të platformës, siç janë përmbajtja e gjeneruar nga inteligjenca artificiale, llogaritë e rreme dhe politika e mbylljes së profileve pa sqarime të detajuara. Kompania Meta nuk ka ofruar një reagim zyrtar ndaj këtyre kritikave ose mbi planet për ndryshime të mëtejshme vizuale në të ardhmen.