Vedat Muriqi, sulmuesi 31-vjeçar i Mallorcës dhe i Kombëtares së Kosovës, po kalon sezonin më të mirë të karrierës së tij në La Liga, me 21 gola në 31 ndeshje, duke u renditur i dyti pas Kylian Mbappésë të Real Madridit.
Sipas mediumit spanjoll Fichajes, Barcelona e sheh Muriqin si opsion të përballueshëm për të forcuar sulmin. Arsyet përfshijnë aftësinë e tij fizike, dominimin në ajër, përvojën në La Liga dhe mundësinë për t’u përshtatur shpejt me skuadrën. Financiarisht, transferimi vlerësohet në rreth 15 milionë euro, shifër e përshtatshme për buxhetin e klubit katalanas në kushtet ekonomike aktuale.
Ndërkohë, agjenti i Muriqit, Utku Cenikli, ka minimizuar spekulimet për largim. Në intervistë për AS, ai ka konfirmuar interesim nga klube të ndryshme, por ka theksuar se nuk ka zhvillime konkrete. "Vedati është lojtar i dëshmuar dhe shumë i pëlqyer në Mallorcë. Synimi i tij është t’i përfundojë me sukses ndeshjet e mbetura dhe është besnik ndaj klubit", ka deklaruar Cenikli pas ndeshjes ndaj Valencias.
Muriqi ka kontratë me Mallorcën deri në vitin 2029, me klauzolë lirimi prej 40 milionë euro. Në janar, Fenerbahçe ka tentuar ta transferojë për 20 milionë euro, por pa sukses. Për Muriqin, një kalim te Barcelona do të ishte hap i madh në fund të karrierës, ndërsa fokusi aktual mbetet te ndihma për Mallorcën që të shmangë rënien nga kampionati.