Pjesëmarrja e Iranit në Kupën e Botës 2026 është shoqëruar me vështirësi të theksuara organizative dhe tensione politike. Pas ndeshjes së parë të Grupit G kundër Zelandës së Re, federata iraniane konfirmoi se do të paraqesë një ankesë zyrtare pranë FIFA-s, duke pretenduar se kushtet e vendosura ndaj tyre cenojnë barazinë mes kombëtareve pjesëmarrëse.
Sipas delegacionit iranian, ekipi nuk lejohet të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara pas ndeshjeve, duke u detyruar të udhëtojë drejt kampit bazë në Tijuana, Meksikë. Këto lëvizje të shpeshta, të shoqëruara me kontrolle të imigracioni, kanë shkaktuar lodhje dhe kanë penguar procesin e rikuperimit fizik. Përballë sfidës së radhës kundër Belgjikës, zyrtarët iranianë pretendojnë se organizatorët kanë kufizuar kohën e mbërritjes në Los Angeles vetëm 24 orë para takimit, duke mos respektuar planet e mëparshme për një qëndrim më të gjatë.
Situata është agravuar edhe nga refuzimi i vizave për 11 anëtarë të stafit teknik, çka ka rritur tensionet brenda ekipit. Përtej vështirësive logjistike, atmosfera është ndikuar nga konteksti politik. Gjatë ndeshjes së parë në Los Angeles, në stadium janë raportuar protesta nga pjesëtarë të diasporës iraniane, ndërsa himni kombëtar është pritur me fishkëllima nga një pjesë e tifozëve.
Trajneri Amir Ghalenoei e cilësoi Iranin si "skuadrën më të diskriminuar" të turneut, duke theksuar se këto pengesa ndikojnë direkt në përgatitjen sportive. Megjithatë, stafi dhe futbollistët, përfshirë kapitenin Mehdi Taremi, deklaruan se mbeten të përqendruar te objektivat e tyre në fushën e lojës.