Irani ka paralajmëruar vendet që zbatojnë sanksionet e Shteteve të Bashkuara kundër Teheranit se anijet e tyre do të përballen me vështirësi në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas mediave shtetërore iraniane, Brigadieri Gjeneral Amir Akraminia, zëdhënës i ushtrisë, deklaroi se "që tani e tutje, vendet që ndjekin SHBA-të në zbatimin e sanksioneve kundër Republikës Islamike të Iranit me siguri do të përballen me probleme gjatë kalimit nëpër Ngushticën e Hormuzit". Ky paralajmërim vjen pas sulmeve të avionëve luftarakë amerikanë ndaj dy tankerëve iranianë në Gjirin e Omanit.
Ngushtica e Hormuzit është një nga korridoret detare më strategjike në botë, përmes së cilës kalon një pjesë e madhe e furnizimit global me naftë dhe gaz. SHBA-të kanë vendosur sanksione të gjera ndaj Iranit për dekada, për shqetësime në lidhje me programet e armëve, të drejtat e njeriut dhe financimin e grupeve militante. Vende të tjera, si Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe Australia, kanë zbatojnë masa të ngjashme.
Ky paralajmërim ndodh në një moment kur Shtetet e Bashkuara presin përgjigjen e Teheranit ndaj propozimit të fundit diplomatik për uljen e tensioneve dhe ndalimin e luftimeve në rajon. Më herët gjatë konfliktit, Irani kishte kërcënuar anije të lidhura me kombe që ofrojnë mbështetje për sulmet ushtarake amerikane dhe izraelite.
Ndërkohë, disa vende po diskutojnë një mision të përbashkët për mbrojtjen e transportit detar në këtë rrugë ujore kritike. Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se do të dërgojë një anije luftarake në Lindjen e Mesme për të ndihmuar në sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.