Irani po bëhet gati për një sulm të mundshëm nga Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë dislokuar asete ushtarake kyç në Lindjen e Mesme, përfshirë një aeroplanmbajtës dhe bombardues.
Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar me sulme ndaj Republikës Islamike për shkak të shtypjes brutale të protestuesve antiqeveritarë. Nëse autorizohet një veprim ushtarak, Teherani mund të jetë praktikisht i pafuqishëm për të ndaluar sulme ajrore, sipas ekspertëve.
Megjithatë, Irani mund të hakmerret ndaj ushtrisë amerikane dhe aseteve komerciale në rajon. Ai posedon raketa balistike të avancuara, raketa lundruese që fluturojnë ulët, si dhe dronë luftarakë dhe kamikazë.
Gjatë luftës 12-ditore të qershorit të vitit të kaluar, Izraeli goditi infrastrukturën ushtarake iraniane, përfshirë qendrat e prodhimit të raketave, radarët dhe sistemet e mbrojtjes ajrore S-300 ruse. Kjo dobësoi aftësinë mbrojtëse të Iranit, që ka forcë ajrore të vjetëruar.
Edhe ashtu, Teherani lëshoi qindra raketa balistike drejt Izraelit, ku dhjetëra prej tyre, kryesisht për objektiva ushtarake, depërtuan mbrojtjen ajrore izraelite.
"Në aspektin e aftësive mbrojtëse, Irani është praktikisht i pambrojtur", tha Michael Horowitz, ekspert i pavarur i mbrojtjes me seli në Izrael. Ai shtoi se Irani ka arsenal të madh raketash me rreze të shkurtër dhe të mesme për të goditur bazat amerikane, si dhe raketa lundruese dhe dronë për anijet amerikane.
Izraeli goditi caqe si kompleksi ushtarak në Parçin, baza Hoxhir, objekti raketor në Shahrud dhe fabrika në zonën industriale pranë Teheranit.