Gazeta iraniane Hamshari, e lidhur me Bashkinë e Teheranit, ka publikuar një "listë të zezë" që përfshin 13 liderë dhe zyrtarë të lartë ndërkombëtarë. Ky veprim pason vdekjen e liderit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.
Në ilustrimet e publikuara, zyrtarët shfaqen me uniformat portokalli të të burgosurve amerikanë, ndërsa mbi fotografitë e tyre është shkruar në gjuhën perse: "Hakmarrja është e pashmangshme". Mesazhi shoqërues paralajmëron se "kriminelët do ta marrin me vete në varr dëshirën për një vdekje paqësore", një aludim i qartë për një fund të dhunshëm.
Në krye të listës ndodhen presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, të cilët janë portretizuar me një shenjë objektivi mbi ballë. Përveç tyre, në listë përfshihen:
• Giorgia Meloni, Kryeministrja e Italisë
• Keir Starmer, Kryeministri i Britanisë së Madhe
• Emmanuel Macron, Presidenti i Francës
• Friedrich Merz, Kancelari i Gjermanisë
• Marco Rubio, Sekretari amerikan i Shtetit
• Pete Hegseth, Sekretari amerikan i Mbrojtjes
• Brad Cooper, Komandanti i CENTCOM-it
• Mike Huckabee, Ambasadori amerikan në Izrael
• Israel Katz, Ministri izraelit i Mbrojtjes
• Gideon Sa’ar, Ministri i Jashtëm i Izraelit
• Eyal Zamir, Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF)
Publikimi i kësaj liste përkon me thirrjen zyrtare për hakmarrje të bërë nga lideri i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei. Deri tani nuk ka pasur reagime zyrtare nga figurat e përfshira, ndërsa analistët e vlerësojnë këtë akt si përshkallëzim të retorikës ndërmjet Iranit dhe vendeve perëndimore.