Klotilda Bushka, ish-deputete e Partisë Socialiste dhe një nga të pandehurat në dosjen Veliaj, ka kërkuar gjykim të shkurtuar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Avokati i saj, Henrik Ligori, deklaroi se Bushka nuk ka pranuar akuzat gjatë hetimit paraprak, duke i konsideruar ato të pabazuara në prova dhe fakte. Ai theksoi se gjyqtari i seancës paraprake e ka kaluar çështjen për gjyq, ndërkohë që mbrojtja kishte kërkuar pushimin e saj në atë fazë.
Ligori konfirmoi kërkesën për gjykim të shkurtuar dhe shtoi kërkesën për ndarje të çështjes, duke argumentuar se GJKKO nuk ka kompetencë vendore për rastin dhe propozoi dërgimin e çështjes në një gjykatë tjetër. Gjithashtu, ai paraqiti një dokument që vërteton se Klotilda Bushka nuk është më deputete.
Deklarata e avokatit Ligori:
“Për të pandehurën Klotilda Bushka, e mbrojtura prej nesh, zonja Bushka që në fazën e hetimit paraprak nuk e ka pranuar akuzën dhe e ka cilësuar si të pambështetur në prova dhe fakte. Gjyqtari i seancës paraprake e kaloi çështjen për gjyq, ne kemi kërkuar pushimin e çështjes në atë proces. Së pari konfirmojmë kërkesën për gjykim të shkurtuar, kërkojmë ndarjen e çështjes dhe moskompetencën lëndore të kësaj gjykate dhe dërgimin e çështjes në një tjetër gjykatë. Ne kemi sjellë një dokument që Bushka nuk është më deputete.”