Këshilli i Ministrave në Itali ka miratuar një dekret për heqjen e taksës së automjeteve për një pjesë të konsiderueshme të mjeteve në qarkullim. Sipas njoftimit të kryeministres Giorgia Meloni, përjashtimi do të aplikohet për një automjet për çdo qytetar, duke synuar uljen e barrës tatimore për shtresat që përdorin makina dhe motoçikleta në jetën e përditshme.
Vendimi parashikon përjashtimin nga kjo taksë për të gjitha motoçikletat dhe për makinat me fuqi deri në 80 kW. Kjo reformë, e cila është cilësuar nga qeveria si një masë strukturore, pritet të zbatohet duke nisur nga viti 2027. Burimet financiare për këtë lehtësim do të sigurohen përmes rialokimit të fondeve të përdorura më parë për përballimin e çmimeve të larta të karburanteve.
Sipas të dhënave të agjencisë ANSA, masa përfshin të gjitha motoçikletat dhe mbi 70% të makinave që qarkullojnë aktualisht në rrugët italiane, duke përfshirë në total rreth 14,5 milionë automjete.
Ndërkohë, Ora News vë në dukje se ky vendim merret në prag të zgjedhjeve kombëtare të vitit të ardhshëm. Gjithashtu, theksohet se qeveria ende nuk ka bërë publike përllogaritjet mbi ndikimin e saktë të kësaj mase në financat publike.