Inteligjenca italiane po heton nëse përplasjet e dhunshme në Milano mund të kenë ardhur si rezultat i një organizimi të mirëkoordinuar përmes rrjeteve sociale dhe fletëpalosjeve të krijuara me inteligjencë artificiale. Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë e përdorimit të një metode të ngjashme me atë të përdorur më parë në Ceuta, ndërsa përpiqen të zbulojnë se kush mund të ketë nxitur mobilizimin e protestuesve. Deri tani, nuk janë evidentuar prova për drejtim nga një shtet i huaj.
Sipas gazetës La Repubblica, drejtori i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Brendshme (AISI), Bruno Valensise, paraqiti analizën e tij të enjten, më 22 tetor, gjatë një seance që zgjati më shumë se tri orë para komisionit parlamentar të sigurisë, Copasir. Hetuesit po përpiqen të identifikojnë personat që mund të kenë shfrytëzuar zemërimin e të rinjve për t’i mobilizuar. Disa ditë më parë, ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, e kishte cilësuar situatën në Milano në kontekstin e luftës hibride.
Për të shtunën, 24 tetor, janë paralajmëruar protesta të reja në Milano dhe në qytete të tjera të Italisë. Sipas Valensise, shqetësimi është se grupe të rrymave radikale dhe anarkiste mund të përpiqen t’u bashkohen protestuesve të rinj dhe të nxisin incidente, veçanërisht përmes përplasjeve me policinë.
Për këtë arsye, Milano do të jetë nën masa të shtuara sigurie, nga stacioni i trenit deri në qendër. Krahas forcave të rendit, në terren do të angazhohen edhe 500 parashutistë të njësisë ushtarake “Folgore”, të cilët do të kryejnë patrullime, përfshirë patrullime të lëvizshme. Zëvendëskryeministri Matteo Salvini deklaroi se, në rast nevoje, ushtarakët mund të ndërhyjnë edhe me automjete të blinduara “Lince” dhe dronë.