Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, ka bërë të ditur vendimin e tij për të mos rikandidojë për drejtimin e Sekretariatit për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, pozitë të cilën e ka ushtruar për 12 vite përgjatë 3 mandateve radhazi.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ai theksoi se ky largim bëhet për t'u përkushtuar më tej angazhimeve të tij parlamentare dhe brenda strukturave të partisë. Kaso, i cili është gjithashtu anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike dhe nënkryetar i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, vlerësoi punën e bërë ndër vite.
Si arritjen më të rëndësishme gjatë mandatit të tij, ai veçoi rikthimin e simboleve dhe flamurit të partisë te demokratët, duke e cilësuar këtë si një fitore historike në kushte të vështira.
Në deklaratën e tij, Ivi Kaso shprehu mirënjohje ndaj kryetarit të partisë, Prof. Dr. Sali Berisha, për besimin e dhënë, si dhe ndaj Sekretarit të Përgjithshëm dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ky njoftim pason në prag të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ku pritet të zhvillohen diskutime për riorganizimin e strukturave drejtuese të forcës politike.