Israel Katz, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, të shtunën paralajmëroi presidentin e Libanit, Joseph Aoun, se Libani do të paguajë çmimin nëse nuk e çarmatos Hezbollah, milicinë e mbështetur nga Irani që dominon jugun e vendit.
Në një deklaratë televizive drejtuar presidentit, Katz theksoi se Libani kishte bërë një premtim dhe zotim për të zbatuar marrëveshjen dhe për të çarmatosur Hezbollah, por këto nuk po ndodhin. "Nëse duhet të zgjedhim midis mbrojtjes së civilëve dhe ushtarëve tanë ose shtetit të Libanit, ata që do të paguajnë çmimin do të jenë qeveria libaneze dhe i gjithë Libani", deklaroi Katz.
Pas zgjedhjes së Joseph Aoun si president në janar të vitit 2025, ai u zotua të rikthente monopolin e ushtrisë libaneze mbi armët duke çarmatosur Hezbollah. Megjithatë, grupi militant ka vazhduar të veprojë dhe javën e kaluar kreu një sulm ndaj Izraelit pas goditjeve të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit.
Izraeli është përgjigjur me një ofensivë të ashpër në të gjithë Libanin, duke goditur Hezbollah jo vetëm në jug, por edhe në kryeqytetin Beirut dhe në Tripoli në veri. I pyetur për një pushtim tokësor në shkallë të gjerë, një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se "të gjitha opsionet mbeten në tryezë".
Katz sqaroi se Izraeli nuk ka pretendime territoriale në Liban, por nuk do të pranojë sulme me raketa nga territori libanez drejt Izraelit. "Prandaj po ju drejtohemi dhe po ju paralajmërojmë – bëni diçka dhe veproni para se ne të bëjmë edhe më shumë", përfundoi ai në mesazhin drejtuar Aoun.