Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, deklaroi gjatë një interviste në podcast-in konservator Benny Show se beson që alienët nuk janë qenie jashtëtokësore, por demonë.
Këto komente u bënë këtë fundjavë, në një kohë kur SHBA përballet me zhvillime të rëndësishme si konflikti në Iran dhe sfida ekonomike të brendshme. Vance u shpreh se ka një obsesion të kahershëm me fenomenet e paidentifikuara ajrore (UAP). Ai pranoi se ende nuk ka pasur mundësi të shqyrtojë dosjet e klasifikuara mbi UFO-t, por premtoi ta bëjë këtë para se të largohet nga detyra.
“Më besoni, jam i fiksuar pas kësaj teme dhe do t’i shkoj deri në fund”, tha ai. Vance përmendi se më parë kishte planifikuar udhëtime në Zonën 51, objektin ushtarak sekret në Nevadë, dhe në New Mexico, por nuk gjeti kohë të mjaftueshme. Ai argumentoi se njerëzit etiketojnë fenomenet e pazakonta si jashtëtokësore, ndërsa ato mund të kenë shpjegim shpirtëror.
“Çdo fe e madhe botërore, përfshirë krishterimin, pranon ekzistencën e forcave të mira dhe të këqija. Një nga truket e djallit është t’i bindë njerëzit se ai nuk ekziston”, shtoi ai.
Deklaratat e Vance vijnë në një moment kur çështja e UFO-ve ka rikthyer interesin publik në SHBA. Ish-presidenti Barack Obama foli muajin e kaluar për alienët si “të vërtetë”, por sqaroi se nuk kishte prova gjatë presidencës së tij dhe se ata nuk po mbaheshin në Zonën 51. Presidenti aktual Donald Trump ka premtuar publikimin e dokumenteve federale mbi jetën jashtëtokësore dhe fenomenet e paidentifikuara.