Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, ka hedhur poshtë zërat për një përplasje me sekretarin e Shtetit, Marco Rubio. Deklarata u bë në një intervistë për rrjetin televiziv Fox News më 18 shkurt 2026.
Vance deklaroi se mediat po përpiqen të krijojnë tensione që nuk ekzistojnë. Ai vlerësoi punën e Rubios dhe të presidentit Donald Trump.
"Marco po bën një punë të shkëlqyer. Edhe unë po përpiqem të bëj më të mirën në detyrën time. Presidenti po bën një punë të shkëlqyer. Do të vazhdojmë të punojmë së bashku", u shpreh 41-vjeçari republikan.
I pyetur nëse synon të kandidojë për president në të ardhmen, Vance shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë. Ai theksoi se është i fokusuar në detyrën aktuale si zëvendëspresident.
Nga ana e tij, Marco Rubio kishte deklaruar në një intervistë për revistën Vanity Fair se do ta mbështeste Vance nëse ai vendoste të kandidonte për president.