Klubi i Juventusit ndodhet në prag të finalizimit të transferimit të talentit boshnjak Kerim Alajbegoviç nga Bayer Leverkusen. Për shërbimet e 18-vjeçarit, bardhezinjtë kanë rënë dakord për një shifër totale prej 40 milionë eurosh, e cila përbëhet nga 33 milionë euro fiks dhe 7 milionë euro të tjera në formë bonusesh.
Negociatat janë konfirmuar nga burime të shumta, përfshirë gazetarët Patrick Berger dhe Fabrizio Romano, të cilët theksojnë se bisedimet kanë hyrë në fazën përfundimtare. Ky operacion përbën një kthesë të papritur, pasi për lojtarin kishin shfaqur interes të lartë klube të tjera, si Atalanta, e cila u tërhoq pas refuzimit të ofertës së saj, si dhe Chelsea, Milani, Napoli dhe Roma.
Një rol në këtë afrim thuhet se ka luajtur drejtuesi Frederic Massara, i cili e ndiqte lojtarin prej kohësh, si dhe ndikimi i ish-mesfushorit Miralem Pjaniç, i cili ka mbajtur rolin e mentorit për lojtarin. Alajbegoviç, i cili në shtator mbush 19 vjeç, vjen pas një sezoni ku zhvilloi 44 ndeshje dhe shënoi 13 gola gjatë huazimit te RB Salzburg.
Lëvizja e Juventusit për këtë talent është zhvilluar paralelisht me operacione të tjera të merkatos, përfshirë nënshkrimin me Randal Kolo Muani. Ardhja e mundshme e Alajbegoviç mund të sjellë ndryshime në organikën e ekipit, ku përflitet sakrifikimi i anësorit Francisco Conceição për shkak të interesimit të klubeve të tjera pas paraqitjeve në Botërorin e Klubeve.
Përditësime
Lojtari Kerim Alajbegoviç ka arritur marrëveshje përfundimtare për transferimin te Juventusi. Palët kanë zyrtarizuar akordin, ndërsa priten vizitat mjekësore dhe nënshkrimi i kontratës afatgjatë. Sipas burimeve të Top Channel, kostoja e operacionit është 35 milionë euro, shifër kjo e korrigjuar nga vlerësimi i mëparshëm prej 40 milionë eurosh.