Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka njoftuar një qasje të re për trajtimin e banesave që nuk disponojnë dokumentacion pronësie. Nëpërmjet ekipeve të posaçme, institucioni do të verifikojë situatën e pronave drejtpërdrejt në terren, duke kontaktuar banorët derë më derë.
Procesi do të fillojë nesër në Palasë, ku specialistët do të qëndrojnë për një periudhë njëjavore. Drejtoresha e Përgjithshme e ASHK-së, Lorena Goxhobelli, theksoi se kjo procedurë do të përfshijë çdo banesë, pavarësisht nëse pronarët kanë kryer apo jo aplikime të mëparshme pranë institucionit. Gjatë kësaj kohe, specialistët do të realizojnë matjet në terren dhe do të saktësojnë dokumentacionin përkatës.
Sipas njoftimit zyrtar, për çdo rast që plotëson kriteret ligjore do të merret një vendim, i cili do të dërgohet për qytetarët nëpërmjet platformës digjitale e-Albania. Për të garantuar transparencë, Kadastra do të publikojë statusin e banesave pas përfundimit të punës, duke evidentuar ato që janë pajisur me vendim, rastet që kërkojnë plotësim dokumentacioni, si dëshmia e trashëgimisë, dhe banesat që nuk kanë qenë të aksesueshme nga ekipet.
Kjo nismë, e cila nis nga Palasa, pritet të shtrihet në vazhdim edhe në zona të tjera rurale dhe urbane të vendit. Institucioni u ka bërë thirrje banorëve të bashkëpunojnë me ekipet në terren dhe të sigurojnë praninë e një personi në banesë gjatë periudhës së vizitës për lehtësimin e procesit.