Gjatë një konference për shtyp në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, theksoi rëndësinë e ruajtjes së sanksioneve ndaj Rusisë. Ajo vlerësoi se këto masa mbeten thelbësore për ushtrimin e presionit ndaj Moskës me synim dhënien fund të luftës në Ukrainë.
Kallas, e cila mban edhe postin e zëvendëspresidentes së Komisionit Evropian, pranoi se në institucionet evropiane po zhvillohen diskutime mbi kërkesat e disa shteteve anëtare për heqjen e masave ndëshkuese ndaj dy oligarkëve rusë. Ajo shprehu pritshmërinë që këto bisedime të përfundojnë sa më shpejt, duke nënvizuar se nevojitet stabilitet për të garantuar zbatimin e politikës së sanksioneve.
Në lidhje me vijimin e kësaj strategjie, shefja e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm bëri të ditur se Bashkimi Evropian po punon aktualisht për përgatitjen e një serie të re sanksionesh ndaj Rusisë.