Aulon Kalaja, ish-kandidat i Partisë Demokratike për deputet në zgjedhjet e 11 majit, foli në studion e News24-së për rastin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Ai e cilësoi këtë çështje si provë të rëndësishme për funksionimin e drejtësisë dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Sipas Kalasë, mazhoranca është pengesa kryesore për zbatimin e plotë të reformës në drejtësi. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste nuk do të lejojë heqjen e imunitetit të Ballukut, pasi deputetët socialistë funksionojnë si noterë pa individualitete të pavarura.
"Tek grupi parlamentar i PS nuk ka individualitete, megjithëse mendojnë ndryshe. Kjo ishte retorika e Ramës për të shuar zërat, duke thënë se jam unë Balluku. Nuk kam pritshmëri, ata janë një grup noterësh, thjesht ngrëne kartonin", u shpreh Kalaja.
Ai theksoi se Rama dhe Balluku janë kthyer në një kosto për ndërkombëtarët dhe penguesit më të mëdhenj të reformës. Mediat austriake kanë raportuar për afera seksuale, ku thuhet se ekzistojnë video që përdoren si mjet shantazhi. "Nëse Ahmetaj ishte maniak për dokumentimin e korrupsionit me prova e fakte, Balluku është me video të kësaj natyre", deklaroi ai, duke shpjeguar këmbënguljen e Ramës për të mos pranuar dorëheqjen e saj.