Për shkak të reshjeve të pakta dhe ndikimit të fenomenit klimatik El Niño, Autoriteti i Kanalit të Panamasë (ACP) ka njoftuar vendosjen e kufizimeve të reja në trafikun detar. Sipas të dhënave, reshjet në pellgun ujëmbledhës nga maji deri në gusht ishin 34% nën mesataren historike, ndërsa prurjet e ujit shënuan një rënie prej 44%. Këto masa janë ndërmarrë për të garantuar qëndrueshmërinë afatgjatë të kanalit dhe për të siguruar furnizimet me ujë për konsum njerëzor.
Ndryshimet do të zbatohen në dy faza:
• Nga 3 shtatori, numri i kalimeve ditore do të reduktohet në 34 anije.
• Nga 15 shtatori, ky numër do të ulet më tej në 32 anije.
Këto kufizime prekin si ekluzat e vjetra Panamax, ashtu edhe ato më të mëdha Neopanamax. Për të menaxhuar situatën, autoritetet theksojnë rëndësinë e rezervimeve paraprake, duke bërë të ditur se 9 nga 10 anije që kalojnë kanalin operojnë përmes këtij sistemi, ndërsa kapaciteti i mbetur ofrohet përmes ankandeve. Në një rast të veçantë, një kompani ka paguar 4 milionë dollarë për të garantuar një kalim të përshpejtuar.
Kjo situatë i ngjason krizës së viteve 2023-2024, kur nivelet e ulëta të ujit detyruan operatorët të reduktonin tranzitet nga 38 në 22 anije në ditë. Kanali i Panamasë mbetet një nyje strategjike për tregtinë globale, duke shërbyer si një lidhje thelbësore midis Oqeanit Atlantik dhe Oqeanit Paqësor.