Qeveria e Kosovës ka prezantuar kabinetin qeveritar, ku u shtuan dy ministri të reja dhe u ndanë ose transferuan disa dikastere, por këto ndryshime nuk janë përfshirë në ligjin për ndarjet buxhetore.
Ministritë e reja janë Ministria për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës së UÇK-së dhe Ministria e Administratës Publike dhe e Digjitalizimit. Ministria e Kulturës dhe Turizmit u nda nga ajo e Rinisë dhe Sportit, ndërsa dikasteri i Inovacionit kaloi nga Ministria e Arsimit në Ministrinë e Tregtisë. Këto katër njësi punojnë pa buxhet të veçantë, çka i lë me duar të bllokuara për investime kapitale.
Naim Jakaj nga KDI shpjegon se ligji për buxhetin u miratua pas formimit të qeverisë. "Qeveria do duhej ta përfshinte dhe t’i vendoste edhe ministritë e reja. Meqenëse nuk e ka bërë, duhet rishikim i ligjit për ndarjet buxhetore deri më 31 mars, në rast se Gjykata Kushtetuese shpall jokushtetues dekretin e presidentes Osmani", thotë ai.
Analisti politik Dorajet Imeri vlerëson se mungesa e buxhetit pengon planifikimet e plota, por ministritë duhet të vazhdojnë me orientime zhvillimore dhe strategjike. "Këto nuk kërkojnë kosto dhe mund të harmonizohen më vonë me buxhetin e rishikuar", shprehet Imeri.
Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë përgjigje ndaj pyetjeve të mediave për këtë çështje. Nevoja për rishikim buxhetor shtrihet edhe në nivel lokal.